Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Autostop” ka vënë në pranga një person të kapur me lëndë narkotike kanabis sativa.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. L., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë K. A., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe C. D., 20 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shërbimet e policisë kanë lokalizuar mbrëmjen e djeshme, në rrugën “Ali Demi”, automjetin me drejtues shtetasin I. L., dhe pasagjere shtetasen C. D.
Shtetasi I . L., pasi ka ndaluar automjetin, i ka dhënë nga dritarja, shtetasit K. A., një sasi lënde të dyshuar narkotike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit I. L., shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3.4 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa.
Aktualisht vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit I. L., ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



