Një shtetas shqiptar është ekzekutuar me armë në Guayaquil të Ekuadorit. Ngjarja e rëndë, sipas mediave të huaja, është regjistruar më datë 9 nëntor, ndërsa viktima është identifikuar si Arjan Rizaj. Ai mësohet se u ekzekutua teksa ndodhej brenda makinës së tij të parkuar. Dëshmitarët kanë treguar se autorët kanë qenë me motor.
53-vjeçari u qëllua me 9 plumba pistolete. Nga hetimet e deritanishme është bërë e ditur se Arjan Rizaj ka qenë duke pritur bashkëshorten e tij, e cila ndodhej në spitalin “Luis Vernaza”, për të takuar të atin e saj që ishte i shtruar aty. Rizaj ka marrë plagë të rënda në trup, të cilat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.
Bashkëshortja e viktimës u tha hetuesve se Arjani nuk punonte dhe se në Ekuador qëndronte pa dokumente legale. Sipas saj, 53-vjeçarit i dërgonte para i vëllai nga Kanadaja ose persona të tjerë nga Shqipëria. Policia ekuadoriane është duke hetuar shkaqet e vrasjes.



