Biznesmeni Behgjet Pacolli, ka shtuar akuzat ndaj Valon Llukës, pas arrestimit të dy personave të tjerë në kuadër të hetimeve për kompaninë “Hirano” në Mitrovicë, por edhe pjesë e grupit Mabetex.
Në reagimin e tij publik, Pacolli ngre akuza për dëmtim të kompanisë dhe aksionarëve të saj, si dhe për keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Evropian të akorduara për zhvillimin e fabrikës.
Pacolli përmend edhe aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës si një tjetër çështje ku, sipas tij, duhet të hetohen parregullsitë.
Kjo pasi Valon Lluka ka qenë administrator i kompanisë koncesionare “Vlora International Airport” dhe bashkëpunëtor i mëparshëm i Pacollit.
Marrëdhënia mes tyre u përkeqësua pas largimit të Llukës nga drejtimi i kompanisë në vitin 2025.
Sot janë arrestuar edhe dy persona që kanë punuar si vartës të Valon Llukës, në kompaninë Hirano, pjesë e Grupit Mabetex, e administruar nga Valon Lluka. Valon Lluka këtu, sipas dokumentacionit në dispozicion të prokurorisë, nuk ka dëmtuar vetëm kompaninë Hirano në Mitrovicë, aksionarët e saj, por nëpërmjet mashtrimeve kanë vjedhur edhe fondet e Bashkimit Europian që ishin dedikuar për zhvillimin e kësaj fabrike.
Këto zhvillime e përforcojnë punën korrekte të organeve të drejtësisë së Kosovës dhe kërkesën tonë për hetimin e plotë të dyshimeve për keqpërdorimet që kemi denoncuar si ilegale. Çdokund, pothuajse ku ka operuar Valon Lluka jemi duke zbuluar parregullsi që kanë shkaktuar dame kolosale kompanisë tonë e që janë si rezultat i mashtrimeve e hajnisë në kundërshtim të normave të mirësjelljes, edukatës dhe detyrimeve kontraktuale të çdo punëmarrësi.
Këto mashtrime tani po zbulohen duke filluar nga “Hirano” në Mitrovicë, kompanitë e Grupit “Mabetex” ku Valon Lluka ka vepruar e deri te mashtrimi i tij i famshëm Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës. Aty ku shfaqët emri i Valon Llukës kërkohet sqarim! Nga drejtësia kërkojmë që roli i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij, si dhe çdo kontratë, transaksion apo vendim i dyshimtë, të hetohen deri në fund. Çdo dëm do të dokumentohet nga drejtësia e cila do të përcakton edhe përgjegjësitë e secilit.
Kam kaluar dekada duke ndërtuar kompani dhe duke krijuar vende pune. U kam besuar njerëzve dhe u kam dhënë përgjegjësi, por askujt të drejtën ta keqpërdorë këtë besim. Nuk kërkoj hakmarrje apo dënime pa prova.
Kërkoj të vërtetën dhe drejtësi të barabartë për të gjithë. Do të përdorim çdo mjet ligjor për të mbrojtur interesat tona dhe nuk do të heqim dorë. Nga “Hirano” deri në Vlorë, çdo dyshim i mbështetur në prova duhet të zbardhet dhe shpresojmë që edhe organet e drejtësisë në Shqipëri do të funksionojnë sipas ligjit!
