Policia e Shtetit njoftoi se është sekuestruar pasuri me vlerë 2 milionë euro të dyshuara si të përfitura nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit të shtetasit P. T., 51 vjeç, banues në Durrës.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për gjurminin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfitura nga veprimtaria mkriminale, referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2017 materialet në ngarkim të shtetasit P. T., për veprën penale “Pastrimi i produketeve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, njoftoi Policia e Shtetit.
Sipas Policisë së Shtetit, në vijim të veprimeve, pas hetimeve të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës u bë ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror, “sekuestro të pasurive”, të shtetasit P. T., 51 vjeç, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “trafikimi i drogave” dhe “shfrytëzim prostitucioni”.
Policia e Shtetit tha se pasuritë e sekuestruara janë dy pallate dhe një bar hotel në lagjen Nr. 13 Durrës. Shuma e sekuestrimit kap vlerën e 2 milionë eurove, sipas çmimit të tregut.
Sipas Policisë, materialet shtesë i kaluan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.



