Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim mbi përplasjet në lagjen “5 Maji”, ku bëhet me dije se janë dëmtuar 5 punonjëse të “bluve” dhe 3 punonjës të policisë bashkiake.
Sipas njoftimit ata kanë marrë dëmtime nga sendet e forta dhe lëndët djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës. Policia njofton se janë shoqëruar në komisariat persona që sipas saj kanë ushtruar dhunë.
NJOFTIMI
Sot në orët e para të mëngjesit, në zbatim të vendimit për shembjen e disa banesave në rrugën "5 Maji", gjatë rezistencës së banorëve, janë dëmtuar në detyrë 5 punonjëse të Policisë së Shtetit dhe 3 punonjës të Policisë Bashkiake. Ata kanë marrë dëmtime nga sende të forta dhe lëndë djegëse dhe ndodhen në Spitalin e Traumës, duke marrë ndihmën mjekësore.
Strukturat e DVP Tiranë, të angazhuara në planin e punës, në mbështetje të strukturave të IMT-së dhe Policisë Bashkiake, janë mbështetur më pas nga FNSH që kanë normalizuar situatën dhe kanë krijuar mundësinë për vijimin e shembjeve.
Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona në Komisariat dhe cilido që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë, do përballet me ligjin.
Policia e Shtetit apelon për këdo të ndalë e shmangë aktet e dhunës mbi forcat e rendit, në të kundërt do të përballen me forcën e ligjit.



