
Tri vite burg dhe 155 mijë euro është dënuar nga gjykata një 41-vjeçar nga Kosova, pasi akuzohet për ndihmë të emigrantëve të paligjshëm.
Sipas mediave vendase, 41-vjeçari, i cili kishte një kompani ndërtimi në Vorarlberg, Austri për vite më radhë keqpërdori dhe shfrytëzoi punëtorët duke i sjellë nga jashtë dhe paguar me një pagë mjaft të ulët.
Zyra e prokurorit publik supozon se më shumë se 100 persona kanë punuar me një pagë të ulët në kompaninë e kosovarit, për shtruarje të hekurit, veprimtari kjo në të cilën kushtet e punës kritikohen vazhdimisht.
Punëtorët pranonin kushtet e tij, pasi ishin të varur nga ai, sepse nuk kishin shkollim adekuat dhe as kontakte shoqërore me persona të tjerë në Vorarlberg.
Gjithashtu atij i ngarkohet edhe akuza se në mënyrë ilegale dhe pa letra kishte sjellë tri kushërinj të tij. I pandehuri mori dënimin prej tri vitesh burg, si dhe duhet të paguajë një pjesë të parave që nuk ua kishte dhënë punëtorëve të tij, rreth 155 mijë euro.



