Kreu i SPAK Altin Dumani, në një takim informal me gazetarët katër ditë më parë dha detaje për disa nga dosjet e nxehta që po hetohen nga institucioni që ai drejton. “Fact Check” ka bërë një përmbledhje të përgjigjeve që Dumani ka dhënë për çështje nga krimet zgjedhore, përgjimet e Sky Ecc, hetimet për inceneratorin e Tiranës dhe paratë e fshehur nga shqiptarë jashtë vendit.
Krimet zgjedhore
Dumani: Brenda janarit do të publikojmë strategjinë për krimet zgjedhore. Pothuajse ka përfunduar. Deri në fund të janarit shpresojmë të miratohet. Do kemi dhe urdhër për zbatim.
Komunikimet sekretet në SKY. Krimi dhe Politika
Dumani: Nuk është e vërtetë që s’ka politikan, një ish-deputet Jurgis Çyrbja është në qeli. Ne nuk kemi të gjithë databazat e aplikacionit SkyEcc. Nga ato informacione që kanë ardhur, ka rezultuar ajo lidhje që është bërë publike. SPAK është i vendosur për përmbajtjen e Sky, kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi pretendimet e një personi që është marrë i pandehur (Pëllumb Gjoka, dosja Metamorfoza). Ne jemi të lirë të ushtrojmë ndjekje penale. SPAK është një nga kontribuuesit më të mëdhenj me institucionet e tjera ligjzbatuese, sa i përket këtij aplikacioni. Kur kemi patur prova, apo nëse do kemi do godasin çdo nivel politikani. SPAK ushtron ndjekjen penale për këdo.
Inceneratori i Tiranës, ku shkuan paratë?
Dumani: Ligji është i qartë. Sigurisht që po hetohet. Inceneratori i Tiranës ka një administrator nga shtetit. Ai kujdeset, pagesat shkojnë për llogari të agjencisë. Ka hetim për personat që kanë përfituar nga kjo gjë, dhe vijojnë hetimet për persona të tjerë për pastrim parash.
Rikthimi i Berishës në liri, dhe procesi Meta
Dumani: Nuk kemi ndjeshmëri. Respektojmë vendimin e gjykatave. Jemi zbatues të ligjit. Kur nuk kënaqemi, ushtrojmë të drejtën e ankimimit. Për Ilir Metën, hetimi po vijon. Kërkesat e SPAK janë gjetur të drejta nga shkallët e gjyqësorit dhe Kushtetuesja i dha fund të gjitha pretendimeve.
Përgjegjësit e dosjes së “21 janarit”?
Dumani: Është kompetence e prokurorit të çështjes për të thirrur persona të ndryshëm. Unë personalisht, preferoj që dëshmitarët t’i thërras të fundit, pasi të grumbulloj prova, më pëlqen t;i ballafaqoj me provat.
Pronat e ushtrisë, akuzat e Kryeministrit për Sekuestron
Dumani: Detaje nuk mund të ndaj. Komente nuk bëj as për kryeministrin dhe as për persona të tjerë. Preferoj të mos bëj.
Publikimi i sekreteve të “Toyota Yaris”
Dumani: Patjetër, të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Pasuritë e fshehura jashtë?
Dumani: Duhet të kemi një indicie. Rast konkret për shqiptarë që të jenë konfiskuar pasuri jashtë, nuk ka. Kemi dërguar letër porosi, por ende nuk kemi sekuestruar ndonjë pronë. Kemi patur informacione.



