
Paratë që kishte në xhep ia kishte dhënë një mik për të pasur mundësi që të kthehej në Shqipëri. Makina nuk ishte e tij, ia kishin dhënë hua, thasët e ngrirjes në sediljen e pasme i kishte gjetur. Po kokaina në xhep? Për përdorim personal.
Kështu tentoi të justifikohej një 29-vjeçar shqiptar, i arrestuar nga policia italiane në Citta di Castello, së bashku me një shokun e tij shqiptar 31-vjeçar.
Sipas policisë së shtetit fqinj, të dy po shisnin kokainë. Këtë e ka konfirmuar edhe një i ri, të cilin karabinierët e kishin parë teksa i afrohej makinës së parkuar dy të dyshuarit.
Para për shlyerjen e një borxhi të vjetër, të gjetur më pas pjesërisht në xhepin e derës së shoferit, pjesërisht në portofolin e 29-vjeçarit për një total prej gati 800 eurosh.
Nga ana tjetër, 31-vjeçari u përpoq të justifikohej duke pretenduar se nuk e dinte që shoku i tij kishte drogë me vete, pavarësisht nëse ishte e destinuar për konsum personal apo për t’u shitur, ai tha se nuk kishte dijeni.
Sipas tij, ata kishin dalë dhe do të shkonin që të hanin një picë. Ndaj të dyshuarve u caktua masa e sigurisë detyrim paraqitje, ndërkohë që u lëshua autorizimi që të nisin procedurat e deportimit.



