Emiliano Shullazi dhe Gilmando Dani kanë kallëzuar penalisht ish-kryeprokuroren Arta Marku dhe ish-drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Padia për shpërdorim detyre ka të bëjë me zhvendosjen e tyre në regjimin 41 Bis. Ata pretendojnë se Marku ka shkelur Kushtetutën me një udhëzim të lëshuar për ta.
Shullazi dhe Dani, në zbatim të urdhrave të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë në korrik të këtij viti janë zhvendosur në regjimin 41 Bis në burgun “Jordan Misja”, Tiranë. Ata i kanë ankimuar këto vendime në GJKKO, si të kundraligjshëm dhe abuzivë.
Urdhrat e ministrit të Drejtësisë janë bazuar mbi kërkesën e arsyetuar, e cila sipas ligjit paraqitet nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.
Përfaqësuesit ligjorë të Shullazit dhe Danit pretendojnë se Donika Prela, në cilësinë e drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila e ka iniciuar procedurën e zhvendosjes së tyre në regjimin e sigurisë së lartë, nuk e ka pasur kompetencën për ta bërë një gjë të tillë.
Prela ka ekzekutuar një udhëzim të ish-kryeprokurores Arta Marku, për të cilën ata gjithashtu pretendojnë se ka vepruar në kundërshtim me përmbushjen e detyrës dhe në shkelje të Kushtetutës.
Sipas Shullazit dhe Danit, procedura e zhvendosjes në regjimin e sigurisë së lartë duhej të ishte iniciuar nga SPAK, një strukturë që në kohën kur janë lëshuar urdhrat nuk ishte ngritur ende. SPAK u krijua në 19 dhjetor 2019.
Regjimi “41 BIS”, një model italian, përfshin të dënuar për rreth 20 vepra të rënda penale, si ajo e akteve terroriste, apo krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Tashmë, aty janë vendosur 7 të burgosurit dhe paraburgosurit e parë. Ata janë Arbjon Aliko, Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqa, Endrit Zela dhe Genci Balla.



