Dy persona janë kapur në flagrancë duke shitur doza kanabisi në zonën bregdetare të Velipojës, ku njëri është vënë në pranga dhe tjetri është proceduar penalisht.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, se dy shtetas shitnin lëndë narkotike në zonën bregdetare të Velipojës, kanë organizuar punën në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Si rezultat i veprimeve policore, u kapën në flagrancë në afërsi të një lokali në Velipojë, me doza kanabisi të gatshme për shitje, shtetasit M. Th., dhe E. P.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi M. Th., 29 vjeç, banues në Tiranë dhe nisi procedimi penal për shtetasin E. P., 28 vjeç, banues në Pogradec.



