Analistja Anduena Llabani duke folur në MCN Live tha se ish-kryebashkiaku Vangjush Dako mund të hetohej për çështje shumë më të mëdha se sa ato për të cilat po hetohet aktualisht. Llabani theksoi se ky proces hetimi do ta shpëtojë Vangjush Dakon.
Nuk besoj se ka qenë një arsye për t’i dhënë kohë Dakos. Ka qenë 8 muaj në hetim, ka pasur kohë të bënte shumë veprime dhe shumë gjëra që do ndihmonte veten dhe do krijonte alibinë përballë një procesi që e priste. Dako ka qenë i vetëdijshëm që ka qenë nën hetim, do të merrej i pandehur, mbase nuk e ka pritur masën e sigurisë arrest me burg, që personalisht mendoj është e tepërt për akuzat që ka dhe mënyrën se si Dako është sjellë gjatë 8 muajve në procesin e hetimit, ka qenë i disponueshëm, nuk ka munguar kurrë në thirrjet e Prokurorisë, ka qenë bashkëpunëtor, nuk ka tentuar të largohet nga vendi.
Janë elemente që në një proces të rregullt ligjor do ndikojnë edhe në masën e sigurisë në shkallët e tjera të gjyqësorit. Dako akuzohet për dy vepra që parashikojnë nga 3-7 vite burg. Besoj që Dako i ka të gjitha argumentet për të kërkuar një masë më të lehtë sigurie, dhe unë nuk e shikoj z.Dako në burg pas gjithë kësaj historie. Mund të themi që z.Dako është një nga peshqit e mëdhenj të arrestuar si procedurë. Por ne po shohim që pjesa më e madhe e zyrtarëve të arrestuar si Koka, Bllako, Tahiri, janë për shpërdorim detyre. Ne nuk e ngremë SPAK-un për të pasur akuza të tilla ndaj zyrtarëve të lartë, përkundrazi.
Nuk e dimë nëse do ketë një hetim pasuror ndaj z.Dako. Nëse kërkesat, letërporositë dhe materialet e ardhura nga institucionet e tjera dhe SHBA, do jenë pjesë e këtij gjykimi. Nëse ka një akuzë për të cilën duhet të hetohej z.Dako lidhet me deklaratën e fundit të ambasadores amerikane, që një pushtetar i rëndësishëm i PS non grata drejton fushatën në Durrës. A ka akuza të tjera, ka pasur dosjen 339, tërmetin që u shkund një qytet i tërë. Ka shumë akuza për të cilat z.Dako mund të hetohej dhe të çohej për gjykim, por jo tani shpërdorim detyre për gjëra idiote.
Te akuza që 48 banorët kanë bërë, të bën përshtypje edhe akuza e tentativës për vrasje. Më bën përshtypje sepse në gjithë këtë panoramë të fakteve, provave, deklaratave, ambasadorëve, politikës, SPAK ka kapur vetëm dy elementë, që kanë lidhje me fakte që s’mund të jetë vetëm Dako përgjegjës, ka gjëra shumë më të mëdha për të cilat mund të hetohet Dako. Unë e shikoj si një proces hetimi që do ta shpëtojë z.Dako”.



