
Katër persona janë arrestuar nga Policia e Mirditës, pasi janë kapur duke shkëmbyer lëndë narkotike në qytetin e Rrëshenit. Sipas policisë, në pranga janë vënë shtetasit Orion Kola, 23 vjeç, Enea Qazimi, 23 vjeç, Klodjan Shabani, 33 vjeç dhe Emanuel Gjoka, 27 vjeç.
Gjatë operacionit, forcat policore gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1.7 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, 5 aparate celularë, 1500 euro, sende të tjera të kundërligjshme, si dhe 2 automjetet me të cilët udhëtonin këta shtetas.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bashkëpunim me FNSH Shkodër, pas një punë të mirëorganizuar, bazuar në informacionet e grumbulluara për disa shtetas që posedonin lëndë narkotike dhe që do bënin shkëmbimin në qytetin e Rrëshenit, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar ‘Shkëmbimi ‘. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve O. K., 23 vjeç dhe E. Q., 23 vjeç, banues në Mirditë dhe i shtetasve K. Sh., 33 vjeç dhe E. Gj., 27 vjeç, banues në Skuraj, Kurbin”, thuhet në njoftimin e policisë.
Këta shtetas janë kapur gjatë operacionit, në qytetin e Rrëshenit, në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.



