
Kryeinspektori i IMT-së Dibër dhe 3 inspektorë janë vënë nën hetim pasi lejuan qytetarët të bënin ndërtime pa leje.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në DVP Dibër, referuan materialet procedurale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, dhe filloi procedimi penal ndaj shtetasve: E.Xh., 37 vjeç, me detyrë Kryeinspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër.
J.O., 32 vjeç; F.R., 33 vjeç; SH.I., 51 vjeç, të tre me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër.
Procedimi penal ndaj tyre ka filluar pasi dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi duke mos kryer detyrat e tyre funksionale për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme, kanë lejuar qytetarë që të kryenin ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Dibër.
Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



