
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ditën e shtunë kanë paralajmëruar një protestë të thirrur kundër qeverisë Kurti. Në njoftim thuhet se protesta organizohet me qëllim të kundërshtimit të “koordinimit të Qeverisë me Milan Radojiçiçin” dhe “kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së”. Aty përmendet se në protestë do të kërkohet nga Mimoza Kusari-Lila ta dorëzojë mandatin e saj të deputetes. “Mimoza Kusari duhet ta dorëzojë mandatin. Një politikane që është zënë duke u koordinuar me Milan Radojiçiçin kundër luftëtarëve të UÇK-së nuk duhet të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës”, thuhet në pikën e ditë të publikuar nga këshilli organizativ i protestës. ““Qeveria e Kosovës nuk po tërhiqet na veprimet skandaloze. Prandaj, të shtunën më 15 korrik protestojmë të gjithë kundër skandaleve qeveritare, kundër koordinimit me Millan Radojqiqin! Kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK-së. Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare. Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe anti-UÇK”, përfundon njoftimi. Protesta do të mbahet nesër prej orës 18:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.



