
Policia e Gjorkastrës ka finalizuar sot operacionin e koduar “Muzgu 8”, i zhvilluar nga seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Gjatë këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. Ç., 32 vjeç, banues në Krujë dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër.
“Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Qafë Muzinë - Gjirokastër do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit S. Ç., i cili u kap në afërsi të fshatit Jorgucat. Ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i cili është shpallur në kërkim, kanë tentuar të transportojnë 7 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, me mjetet tip ‘Volksëagen’ dhe ‘Alfa’”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet dhe një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.



