
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e saj, miratoi sot vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë në organizatën “Bashkimi Ndërkombëtar i Konservimit të Natyrës”.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një dalje për media, tha se pas miratimit në Këshillin e Ministrave, vendimi do të kalojë në Kuvend.
Kjo organizatë ndërkombëtare ka vendosur standardet ndërkombëtare kur bëhet fjalë për mbrojtjen e zonave të mbrojtura për menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tyre.
Deri më sot në këtë organizatë ka qenë Agjencia Kombëtare si anëtare në një nivel agjencie, por për të parën herë Shqipëria bëhet anëtare si shtet që i jep edhe të drejta të plota brenda të organizatës, por sidomos na siguron shkëmbimin qoftë në vendimmarrje në nivel botëror, por edhe mundësinë në shkëmbime përvojash në atë që ne kemi vendosur si prioritet, zhvillimin e qëndrueshëm në mbrojtje të mjedisit, mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe kthimin e tyre jo vetëm në vlera të ekosistemit, por sidomos edhe në destinacion turistik natyror, që na siguron një shtrirje të sezonit turistik përtej atij veror, por edhe një shtrirje në territor.
Për ministren Kumbaro, anëtarësimi i Shqipërisë në këtë organizatë është edhe një herë një angazhim në atë që qeveria e ka konsideruar që ditën e parë të këtij mandati të tretë prioritet, mjedisin, zonat e mbrojtura, të cilat vetëm në dy vitet e fundit i kemi shtrirë nga 17% e territorit në 21.4%.



