
Pas një operacioni 10-ditor kërkim-shpëtimi, efektivët e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të qytetarit me inicialet I.K., 42 vjeç, i cili i dha fund jetës, duke u vetëhedhur në lumë, në vendin e quajtur “Ura e Blezënkës”, në afërsi të Kanioneve të Osumit në Skrapar.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se, trupi i të ndjerit u gjet në zonën midis fshatrave Orizaj dhe Buzuq, pas kërkimeve intensive të zhvilluara në terren nga strukturat përkatëse.
Më 20 shkurt, në vendngjarje u gjetën motorri me të cilin ai lëvizte, disa sende personale dhe celulari i tij, nga i cili rezultoi se 42-vjeçari i kishte nisur një mesazh vëllait, duke i thënë se po hidhej në lumë.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Pas disa ditësh kërkime intensive në lumin Osum, gjendet trupi i 42-vjeçarit.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me forcat e Ushtrisë, pas disa ditësh kontrolle intensive përgjatë shtratit të lumit Osum, sot rreth orës 10:30, pranë fshatit “Karruk”, gjetën trupin e pajetë të shtetasit I. K., 42 vjeç, lindur në Skrapar.
Kërkimet për gjetjen e tij kishin nisur që prej datës 19.02.2026, pasi dyshohej se ky shtetas ishte vetëhedhur në lumin Osum.
Për disa ditë me radhë, strukturat e Policisë Berat, në bashkëpunim me Forcat RENEA dhe forca të tjera mbështetëse, vijuan kontrollet në zonë për gjetjen e tij.
Trupi i pajetë u nxor nga uji dhe grupi hetimor po kryen veprimet procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.



