
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka pritur në një takim pune, delegacionin e EUROPOL-it.
Ky delegacion kryesohej nga të Andzejus Roginskis dhe Roberto Garbini, përfaqësues të Departamentit të Krimeve të Rënda dhe të Organizuar në EUROPOL.
Sipas deklaratës zyrtare të Policisë, në fokus të takimit ishte rëndësia e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Policisë së Shtetit dhe EUROPOL-it.
Ata kanë sugjeruar një shtrirje të pjesëmarrjes së Policisë së Shtetit në veprime operacionale në raste të krimit të organizuar të nivelit të lartë.
Veliu në fjalën e tij ka falënderuar Roginskis-in dhe Garbini-in, për mbështetjen që i ka dhënë Policisë së Shtetit, EUROPOL-i si dhe për besimin për ta përfshirë atë në operacione të nivelit të lartë.
Ai ka theksuar se vitet e fundit Policia e Shtetit ka fituar besueshmërinë dhe është partnere e barabartë me homologët, duke shfaqur vendosmëri, përkushtim e profesionalizëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Europol-it, kanë vlerësuar vlerësuar rezultatet e arritura nga ana e Policisë së Shtetit dhe kanë theksuar rëndësinë e implementimit të Projektit të Analizës COPPER.
Më pas, delegacioni është takuar me përfaqësuesit e strukturave homologe të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit.



