
Apeli i GJKKO lë në burg Ibrahim El Salih (Lekica). 56-vjeçari është dënuar me 4 vite burg, me gjykim të shkurtuar përfiton 2 vite e 8 muaj burg. Prokuroria e akuzonte El Salih se ka përdorur një llogari në rrjetin social ‘Facebook' për të shpërndarë një seri postimesh në mbështetje të Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë, ISIS dhe drejtuesit të tij të vrarë, Ebu Bekër el-Bagdadi, si dhe thirrje në mbështetje të luftës së shenjtë – xhihadit islamik në Lindjen e Mesme dhe Afrikë. I lindur në fshatin Shtiqën dhe banues në Kukës, El Salih njihet si besimtar praktikant i fesë islame dhe ish-punonjës i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Kukësit. Më 24 maj 2022, Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit njoftoi arrestimin e 56-vjeçarit nga Kukësi, Ibrahim El Salih (Lekica) si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.



