
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi sot se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Kaçe Agolli, vendosi shkarkimin e saj nga detyra si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Gjatë seancës dëgjimore të së mërkurës, gjyqtarja Kaçe Agolli u përball në KPK me dyshime për përfitim të paligjshëm të një apartamenti, një raport me probleme të profesionalizmit dhe dyshimet mbi një vendim që i jepte 433 milion euro dëmshpërblim kompanisë së biznesmenit të shumë përfolur Francesco Bechetti kundër gjigandit italian të energjisë Enel, si dhe me probleme të pasurisë dhe një bilanc negativ që varionte nga 4.3 në 6.7 milion lekë.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Olsi Komici anëtar, do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Kaçe Agolli e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.



