Dy persona janë arrestuar nga policia e Durrësit pasi shkaktuan zjarrin në fshatin Ishëm, ndërsa një tjetër u vu në pranga për zjarrvënien në fshatin Rreth, Shijak.
Në lidhje me zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Ishëm, nga veprimet hetimore rezultoi se Ilir Rika, 48 vjeç, dhe Reshit Jaheshi, 59 vjeç, banues në Sukth, Durrës, gjatë kohës që ndodheshin në banesën e shtetasit S. L., në fshatin Ishëm, duke prerë tuba hekuri me gur fresibël, dyshohet se, si pasojë e shkëndijave të krijuara, kanë shkaktuar zjarrin.
Zjarri më pas është përhapur në sipërfaqen bujqësore përreth, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Ilir Rika dhe Reshit Jaheshi, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Gjithashtu, u identifikua dhe u arrestua shtetasi Shaban Domi, 44 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Rreth, Shijak, ku si pasojë, janë djegur tela të rrjetit elektrik dhe sipërfaqe me bimësi.
Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”.



