
Neutralizohet vatra aktive e zjarrit që kërcënonte banorët e ishullit grek Evia që prej të martës. Rreth 400 zjarrfikës janë përballur gjatë natës me flakët në zonën pyjore të ishullit. Zjarri është vënë nën kontroll falë edhe zbutjes së erërave, të cilat një ditë më parë kërcënuan të gjithë zonën.
Sipas mediave greke, 98 automjete luftuan në terren të ashpër për të shuar zjarrin. Zjarrfikësve iu bashkuan 38 vullnetarë dhe 16 automjete të tjera të siguruara nga autoritetet lokale. Atyre u janë bashkuar edhe pesë helikopterë të ushtrisë. Megjithatë, pavarësisht aksionit masiv, zjarri nuk është shuar ende plotësisht. Edhe pse me intensitet më të ulët, flakët vijojnë të përparojnë në një zonë me pisha.
Zjarri përfshiu masivin pyjor të Evias të martën. Erërat e forta dhe temperaturat e larta favorizuan përhapjen e zjarrit në zonën pyjore në lindje të Athinës, ku u shpall gjendja e emergjencës. Ekipeve greke të zjarrfikësve u erdhën në ndihmë edhe helikopterë të dërguar nga Italia dhe Kroacia. Katër fshatra të zonës u evakuuan plotësisht, ndërsa në njërin prej tyre shumë shtëpi u shkrumbuan. Kryeministri Kiriakos Micotaqis ndërpreu pushimet në Kretë dhe u kthye në Athinë për të ndjekur nga afër situatën.
Deri tani, autoritetet kanë vlerësuar se 2800 hektarë pyje janë shkrumbuar tërësisht nga zjarri, një situatë kjo e cilësuar nga ekspertët si katastrofë ekologjike. Zona e prekur nga zjarri është pjesë e një rrjeti parqesh natyrore të mbrojtura të Bashkimit Europian.
Ndërkohë, pas vënies nën kontroll të situatës, banorët kanë nisur të kthehen në fshatrat e tyre.



