Zbulohet një magazinë në Tiranë ku mbaheshin për llogari të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, suplemente ushqimore të skaduara dhe të kontrabanduara.
Pas një hetimi me metoda proaktive, kryer në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të dokumentuar paligjshmëritë që kryheshin në magazinën në kryeqytet, të një subjekti me aktivitet ndërkombëtar në fushën e reklamimit dixhital, u finalizua operacioni i koduar “Audienca”.
Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e subjektit, u gjetën dhe sekuestruan aty, mbi 10 000 suplemente ushqimore dhe bimore të skaduara, pa pullën e Agjencisë së Barnave dhe pa atë të Ministrisë se Financave, si dhe pa etiketa në gjuhën shqipe.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim administratori i subjektit, shtetasi nga Bosnja dhe Hercegovina, J. T., 53 vjeç, si dhe u proceduan penalisht punonjësit që ishin në ambientet e subjektit, shtetasit J. G., 30 vjeç dhe M. Ç., 26 vjeç.
Aktualisht po punohet për kapjen e 53-vjeçarit.
Ndërkohë lidhur me këtë rast materialet iu referuan Prokurorisë Tiranës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.



