Autoritetet kosovare kanë dëbuar dy pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) disa orë pas arrestimit të tyre, të shtunën, nën dyshimin për cenim të sigurisë kombëtare.
Nikolla Vujoviç dhe Mlladen Millojeviç u dëbuan të shtunën në mbrëmje dhe të dyve iu ndalua hyrja në Kosovë për pesë vjet.
Avokatët e tyre, Bogdan Laziq dhe Srgjan Mitroviç, konfirmuan masën e ndaluar.
Vujoviç dhe Millojeviç ishin ndër tre pjesëtarët e MPB-së serbe dhe një ish-pjesëtar i pensionuar që u arrestuan në Kosovë.
Autoritetet kosovare kanë konfirmuar vetëm arrestimin e Vujoviçit dhe vendimin për t'i hequr atij shtetësinë kosovare.
Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, shpjegoi se Vujoviç ishte rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë së Serbisë dhe përbënte një rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Sveçla njoftoi se, si pjesëtar i forcave policore të Serbisë, Vujoviç ishte i angazhuar në aktivitete që cenonin sigurinë e Kosovës. Millojeviç, i cili është polic në Rashkë dhe vjen nga Leposaviqi, gjithashtu po ushtron detyrën e tij në një zonë me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Vujoviç, që vjen nga Zubin Potoku, ka paralajmëruar padi kundër vendimit për heqjen e shtetësisë kosovare.
Sipas ligjit për Shtetësinë në Kosovë, një person mund të humbasë shtetësinë nëse merret me veprimtari që rrezikojnë sigurinë kombëtare, siç është anëtarësimi në shërbimet e inteligjencës ose në forcave policore të një shteti tjetër pa pëlqimin e autoriteteve kosovare.
Ministri Sveçla theksoi se Serbia është duke kryer “përpjekje sistematike” për të destabilizuar Kosovën, duke angazhuar shtetas të Kosovës në institucionet e saj të sigurisë dhe inteligjencës, një veprim që është në kundërshtim me ligjet e Kosovës dhe cenon sigurinë kombëtare.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka dënuar vendimin për arrestimin e pjesëtarëve të MPB-së serbe. Ajo ka akuzuar autoritetet kosovare se nuk kishin asnjë “arsye ligjore” për arrestimin dhe se kjo ishte një “hakmarrje politike kundër popullit serb.”
Ky zhvillim ka ndodhur një javë pas arrestimit të Arbnor Spahiut, një ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, nga autoritetet serbe më 7 qershor.
Spahiu, i cili po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus, është dyshuar nga autoritetet serbe për vrasjen e rëndë në Banjskë, ku një grup serbësh të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.



