
Një person pjesë e grupit të Laert Haxhiut, është ekstraduar nga Britania e Madhe drejt vendit tonë.
I dyshuari i cili rezulton me tre identitete, akuzohet se ka siguruar mjete dhe kushte për vrasjen e një personi, në vitin 2021, në fshatin Gjocaj, Peqin.
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të Lorenc Lala alias K. L. alias I. L., 49 vjeç, lindur në Lushnjë.
49-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.10.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
49-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit Laert Haxhiun, Artan Tafani, Lulzim Spahija, Enriko Xhahysa dhe Bledar Berberi, për të kryer vrasjen e shtetasit Albi Bashaliun, më datë 27.12.2021, në fshatin Gjocaj, Peqin.
Ai dyshohet se ka siguruar armët për kryerjen e këtij krimi dhe mjetet e transportit për largimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal, nga vendi i ngjarjes.



