
Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të mblidhen në Bruksel për dy ditë bisedime mbi mënyrën më të mirë për të mbështetur Ukrainën në fazën tjetër të konfliktit, raporton BBC.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Moska po përpiqet të pushtojë të gjithë rajonin e Donbasit në lindje, me synimin për të krijuar një korridor tokësor nga Rusia në Krimenë e aneksuar. Por ai vazhdon të këmbëngulë se asnjë trupë apo avion i NATO-s nuk do të dërgohet për të luftuar në Ukrainë.
SHBA dhe BE do të vendosin sanksione shtesë ndaj Rusisë sot mes akuzave për krime lufte në qytetin ukrainas Bucha. Imazhet e varreve masive dhe trupave të civilëve të ekzekutuar në periferi të Kievit kanë tronditur botën.
Uashingtoni thotë se do të ndalojë investimet e reja në Rusi dhe do të vendosë sanksione të mëtejshme ndaj institucioneve financiare ruse.
Thuhet se po shqyrton masa të reja që synojnë dy vajzat e Putinit dhe bankën më të madhe të Rusisë.



