Një 45-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e djeshme në fshatin Kus të Tiranës, pasi dhunoi bashkëshorten dhe fëmijët e mitur, dhe më pas qëlloi me armë zjarri ndaj forcave të Policisë që ndërhynë për ta neutralizuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, ndërhynë rreth orës 23:00, në kuadër të operacionit të koduar “Forest”.
Në momentin që punonjësit e policisë mbërritën në banesë, shtetasi L. A., 45 vjeç, hapi zjarr me armë automatike në drejtim të tyre dhe u arratis duke përfituar nga errësira dhe terreni i vështirë i zonës pyjore.
Pas një ndjekjeje intensive dhe kërkimesh që zgjatën rreth dy orë, forcat e Policisë arritën ta lokalizojnë dhe ta arrestojnë autorin.
Gjatë kontrollit, iu sekuestrua një armë zjarri tip kallashnikov, me fishek në fole, si dhe një thikë, që i mbante pa leje.
Fatmirësisht, nga të shtënat nuk pati të lënduar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.



