Ka ndërruar jetë në Spitali i Traumës punonjësi i Ndërmarrjes së Shërbimeve në Komunitet në Gjirokastër, Dritan Kopeci, 55 vjeç, i cili ishte plagosur rëndë pas një aksidenti në vendin e punës.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 mars, në lagjen Zinxhira, ku punonjësi u rrëzua nga kati i dytë i një godine private gjatë kryerjes së punimeve për pastrimin e objektit, i cili ishte sekuestruar nga banka.
Si pasojë e rënies, ai pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Shtetit ka arrestuar tre persona, të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ndërkohë, drejtuesi i institucionit, Adriatik Onjea, akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre”. Sipas burimeve, menjëherë pas ngjarjes ai është larguar drejt shtetit fqinj Greqi dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet.
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy përgjegjësit teknikë, shtetasit P.C. dhe A.B., ndërsa për shtetasin A.L., me detyrë brigadier, është vendosur masa “arrest në shtëpi”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.



