
Prej ditës së djeshme, një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pylli me pisha, që shtrihet mes zonave të Lofkëndit dhe Drenies, në kufirin administrativ të bashkive Patos dhe Mallakastër.
Që nga orët e para të rënies së zjarrit, në terren ndodhen forcat e Emergjencave Civile, shërbimet zjarrfikëse të dy bashkive, si dhe punonjës të tjerë të angazhuar për vënien nën kontroll të flakëve.
Situata vijon të jetë serioze për shkak të terrenit të vështirë dhe përhapjes së shpejtë të zjarrit, por ndërhyrja nga ajri me helikopter ka ndihmuar në izolimin e disa prej vatrave aktive.
Autoritetet theksojnë se po bëhet maksimumi për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të flakëve, me qëllim ruajtjen e kësaj pasurie natyrore me rëndësi për ekosistemin lokal.
Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që zjarri të jetë i qëllimshëm. Policia ka nisur hetimet dhe rikujton se zjarrvënia e qëllimshme dënohet sipas parashikimeve të Kodit Penal.



