
Tre vite më parë në Itali është shënuar një tragjedi për familjen e Riza Strazimirit. Mediat italiane e rikthejnë në vëmendje këtë histori, ku kujtojmë se 25-vjeçari nga Shqipëri që jetonte prej vitesh në Livorno, humbi jetën pas një aksidenti në vendin e punës.
Atë kohë, ai ishte i martuar me Dorina Danushin dhe bashkë prisnin një fëmijë. Lajmi i zi i asaj dite tronditi familjarët e tij, miqtë dhe tërë komunitetin. Madje Dorina, për shkak të dhimbjes së thellë humbi foshnjën 4 muajshe teksa ishte shtatzënë. Përgjegjësit për këtë tragjedi u dënuan, por për Danushin drejtësia nuk është vendosur akoma pasi ajo nuk është dëmshpërblyer.
Riza Strazimiri humbi jetën teksa po merrej me ngjitjen e disa paneleve shumë të rënda, një punë me rrezik të lartë që kërkon standarde të rrepta sigurie. Teksa lëvizte një prej tyre, Strazmiri ra nga lartësia prej 11 metrash. Gjendja e tij shëndetësore ishte shumë e rëndë. Pas arritjes së ambulancës, ai humbi jetën.
Por për familjarët, vdekja e tij e parakohshme është vetëm nisja e një kalvari të gjatë vuajtjesh që do të pasohet me seancat në sallën e gjyqit. Drejtësia italiane dënon 4 persona përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë. Në fund vendoset edhe një dëmshpërblim për familjarët e viktimës prej 100 mijë eurosh.
“Por kur shkuam për të marrë pasuritë e të dënuarve nuk gjetëm asgjë”, tha Danushi. Kjo e fundit është shprehur se kompania që duhet të dëmshpërblejë familjen zvarrit procedurat. “Unë humba bashkëshortin dhe djalin, por nxjerrin gjithmonë justifikime”, është shprehur ajo.



