Një person i cili kanoste dhe përndiqte nxënësit e Shkollës së Mesme të Bashkuar, Krrabë, është vënë në prangat e policisë së Tiranës, me një thikë me vete.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Farkë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas kanoste me mjet prerës dhe përndiqte disa nxënës të shkollës në Krrabë, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të policisë, u bë e mundur kapja në afërsi të shkollës, e shtetasit A. B., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik, 42-vjeçarit iu gjet thika, me të cilin kërcënonte disa nxënës të kësaj shkolle.
Ky shtetas, me anë të mjetit prerës, rrugës për në shkollë, kanoste dhe përndiqte disa nxënës nga klasa e 9-të deri në klasën e 12-të të shkollës në Krrabë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i 42-vjeçarit dhe materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Përndjekja”.



