
Tre persona janë plagosur pas shpërthimit të një bombole gazi në një banesë në Voskopojë të Korçës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:20, ku në Spitalin e Korçës kanë shkuar me djegie trupore, si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi shtetasit F. L., rreth 63 vjeç, banues në fshatin Goskovë, K. B., rreth 30 vjeç, banues në fshatin Voskop dhe shtetasja A. N., banuese në Voskopojë.
Të plagosurit ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ku raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat e para, rezulton se e zonja e shtëpisë ka dashur të provojë kaldajën me gas, dhe kur e ka hapur i ka shpërthyer.
Shtetasit e tjerë janë të afërm të cilët kishin shkuar për të ndihmuar në aredimin e shtëpisë, dhe janë gjendur afër në momentin e shpërthimit ku kanë marrë dëmtime nëpër duar. Ndërsa e zonja e shtëpisë ka pësuar djegie në fytyrë.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.



