
Pasojat e reshjeve të shiut në qarkun e Gjirokastrës vijojnë të jenë të pranishme edhe pas përfundimit të reshjeve intensive.
Korrespondentja e “MCN Live”, Jonida Qirko, raporton mbi situatën aktuale në disa akse rrugore, të cilat mbeten problematike ndërsa po punohet për normalizimin e tyre.
Problemi kryesor mbetet aksi rrugor Kolonjë-Golem, i cili është aktualisht i bllokuar. Rruga ndodhet në proces rikonstruksioni dhe firma kontraktuese po punon për pastrimin dhe hapjen e saj.
Pesë fshatra të izoluar në Dropull
Vijon të jetë problematike edhe Ura e Glinës në bashkinë Dropull. Pesë fshatra të kësaj bashkie dhe një fshat i bashkisë Libohovë rezultojnë të izoluar.
Sipas emergjencave civile, në lartësi mbi 1550 metra ka pasur reshje dëbore.Dje, u punua me të gjitha mjetet e bashkive Dropull e Libohovë, si dhe me ndihmën e bizneseve private të zonës, për të krijuar një bypass mes fshatit Glinë dhe Nepravishtë.
Gjendja e përgjithshme në qark, nuk ka banesa të dëmtuara, nuk ka banorë të evakuuar, situata po shkon drejt përmirësimit. Forcat operacionale të mbrojtjes civile ndodhen në terren dhe rrugët kombëtare janë të hapura për qarkullim.
Ka patur ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona, ndërsa grupet e OSHEE-së po punojnë në terren.
Fshatra dhe njësi ku janë raportuar probleme nw Lazarat, Kordhocë, Antigone, Picar, Kardhiq (Gjirokastër), Salari, Dukaj, Memaliaj Fshat, Mamaj (Tepelenë – Memaliaj)Gjithashtu, ka probleme me valët telefonike dhe shërbimin e internetit në zonën e Gjirokastrës, si pasojë e dëmtimit të linjave.



