
Një 50-vjeçar është arrestuar nga Policia e Fierit, nën akuzën e goditjes për shkak të detyrës ndaj një operatori dhe gazetres së një emisioni investigativ. Në një njoftim për media, Policia njofton se ngjarja ka ndodhur në lagjen “15 Tetori”, në një zyrë noterie.
Forcat e policisë, pas ngjarjes kanë organizuar punën duke identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier, shtetasin I. Y. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin I. Y., 50 vjeç, banues në Fier, ish-bashkëshorti i noteres, shtetases A. H.
Ky shtetas, ditën e enjte, në lagjen “15 Tetori”, Fier, në zyrën e noterisë të shtetases A. H. (ish-bashkëshortja e tij), kur ka parë operatorin dhe gazetaren e emisionit investigativ që po filmonin në zyrën e noteres, ka goditur operatorin dhe i ka thyer celularin gazetares, me pretendimin se nuk duhet të filmonin dhe duhet të dilnin nga zyra e noteres. Operatori dhe gazetarja kanë qenë duke ndjekur ankesën e një qytetari, për noteren A. H.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës”.



