
Një trajler është përmbysur mbrëmjen e sotme në aksin Librazhd–Prrenjas, në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ndodhi rreth orës 19:15. Dyshohet se drejtuesi humbi kontrollin e mjetit për shkak të baltës dhe gurëve të depozituar në rrugë pas reshjeve intensive të shiut.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupet e emergjencës, të cilat po punojnë për largimin e mjetit dhe normalizimin e trafikut. Si pasojë janë krijuar radhë automjetesh në të dy drejtimet.
Fatmirësisht nuk raportohen persona të lënduar rëndë, ndërsa policia po heton shkaqet e aksidentit dhe apelon për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në kushtet e motit të keq.



