Finalizohet pas disa muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Porosia”, duke vënë në pranga tre persona në Gjirokastër, për transportin me makinë të 5.25 kilogramëve kanabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, të DVP Gjirokastër, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Porosia”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- Y. Q., 47 vjeç, banues në fshatin Stjar, Delvinë;
- M. L., 32 vjeç, banues në fshatin Çepun, Gjirokastër;
- A. L., 38 vjeç, banues në fshatin Zhulat, Gjirokastër.
Gjatë operacionit, shërbimet e policisë kanë ndaluar në vendin e quajtur “Kthesa e fshatit Kodër”, Gjirokastër, automjetin tip “Toyota Yaris”, me drejtues shtetasin Y. Q.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e policisë kanë gjetur në bagazh, 5.25 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se po transportohej për t’u shitur.
Gjithashtu, shërbimet e policisë kanë ndaluar automjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin M. L. dhe pasagjer shtetasin A. L., të cilët kontrollonin rrugën, me qëllim për të sinjalizuar shtetasin Y. Q., për prezencën e shërbimeve të policisë, në rrugë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 2 automjetet dhe 5 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.



