
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve në Kosovë.
30 gushti është ditë që përkujtohet fati i njerëzve që me dhunë e pa vullnet u larguan nga vendi i tyre, ku ende nuk dihet asgjë për ta.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot në Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Zhdukur me Dhunë theksoi se të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovës vazhdojnë të jenë plaga më e thellë.
E para e shtetit rikujtoi se vazhdojnë të jenë mbi 1600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë.
Synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit tonë, i të ardhmes sonë. Duke e mohuar të vërtetën, Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin.
Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura.
E vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm.
Në kuadër të kësj dite, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut do të zhvillojë një aksion simbolik në Prishtinë.
Nga ora 18:00, në sheshin “Skënderbeu”, ata organizojnë aksionin e emërtuar “Dera e Pritjes”.



