
“Koordinimi” u kodua një operacion i policisë së Lushnjës gjatë të cilit u godit një rast i përshtatjes së ambienteve për përgatitje dhe shpërndarje të drogave të forta dhe një rast i shfrytëzimit për prostitucion.
Si rezultat i kontrolleve të ushtruara për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u zbulua një servis automjetesh i përshtatur për përdorim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Në ambientet e servisit, u kapën në flagrancë A. S., 40 vjeç, banues në Lushnjë dhe B. T., 62 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë, pasi gjatë kontrollit në ambientet e servisit në administrim nga shtetasi A. S., në të cilin ishte i punësuar shtetasi B. T., shërbimet e policisë gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.
Në pranga përfundoi edhe Z. S., 44 vjeç, banues në Kuçovë. Ky shtetas kishte shkuar në ambientet e servisit, për të blerë lëndë narkotike, i shoqëruar nga një shtetase 24 vjeçe nga Kuçova, të cilën dyshohet se ai e shfrytëzonte për prostitucion.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e kokainës që u gjetën në ambientet e servisit, dy peshore elektronike, shuma parash të valutave të ndryshme dhe tre celularë.



