Policia në Tiranë ka arrestuar një person për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në sajë të operacionit policor të koduar "Terminal".

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Ardian Ramushi 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën "Arben Broci", shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit fizik, i gjetën rreth 320 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, furnizonte disa shtetas të cilët dyshohet se e ndanin dhe e shitnin lëndën narkotike, në doza.
Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe një celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Punohet për kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



