Drafti i Kodit të ri Penal, i cili u hodh për konsultim publik një javë më parë, ka hasur në kundërshtimin e shumë ekspertëve. Kjo e detyroi kryeministrin të sqaronte përmes një postimi në rrjetin “X”, se “Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit, por ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëheqjen e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipi.”
Nga ana tjetër, ekspertët e përfshirë në hartimin e draftit i thanë BIRN se Ministria e Drejtësisë ka pasur rol koordinues dhe kontribues në mënyrë të drejtpërdrejtë në hartimin e draftit, përmes përfaqësuesve të saj në grupin e punës. Sipas tyre, drafti iu dorëzua Ministrisë së Drejtësisë në vitin 2023, por u bë publik dy vjet më pas, në ditët e fundit të muajit të kaluar.
Pyetja që është ngritur më shpesh gjatë kësaj jave ka qenë ajo e përbërjes së grupit të punës që ka hartuar draftin, i kritikuar ashpër për mangësi.
Për BIRN, kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje vetë zoti Rakipi.
Në listën e ekspertëve të përfshirë në procesin e hartimit të draftit, sipas tij, është ish-prokurori Bledar Mustafaraj, aktualisht Sekretariati Teknik pranë Ministrisë së Drejtësisë, si dhe magjistrati i komanduar në pozicionin e përgjegjësit të sektorit të së Drejtës Penale në Drejtorinë e Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit. Mustafaraj dha dorëheqjen nga detyra pas përfundimit të procesit të vetingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili ngriti dyshime për lidhje të tij me krimin e organizuar.
Anëtarë të tjerë të grupit të punës ishin: pedagogu Skënder Kaçupi; gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Sokol Binaj; gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, Tereza Merkaj; gjyqtari i Shkallës së Parë të Posaçme, Erjon Bani; dhe gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha. Nga organi i akuzës, pjesë e grupit ishin prokurorët Kujtim Luli, Arqile Koça, Ylli Pjetërnika dhe Andi Pogaçe.
Po ashtu, për draftin kanë kontribuar edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, pa përmendur emra konkretë.



