
Viktor Marku, i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Hekuran Billës te “Komuna e Parisit”, u la sot në arrest me burg nga Gjykata e Tiranës.
Mësohet se për Markun është vendosur ‘Arrest me Burg’ dhe prokuroria ka paraqitur në gjykatë dokumentat e ardhura nga Mali i Zi, ku ndalimi është bëre me kërkesë të Interpol Tiranës.
Pas pretendimeve të ngritura gjatë shqyrtimit të dosjes në seancën e djeshme, gjykata tha që vendimi për masën e sigurisë ndaj Markut të jepej ditën e sotme.
Në një prononcim për mediat, përfaqësuesi ligjor i Markut, që u arrestua në Mal të Zi, theksoi se Policia duhet të gjejë autorët e vërtetë të krimit. Mes të tjerash, ai tha se të dy, dajë e nip, Viktor Marku dhe Sebastian Mali, nuk kanë lidhje me ngjarjen. Ai shtoi se Sebastian Mali kishte kaluar në atë rrugicë ku kishte ndodhur krimi (në zonën e Komunës së Parisit) për të blerë gjëra personale.
Ndërkohë, mësohet se vet Marku i ka mohuar akuzat, ndërsa u shpreh se ishte në Mal të Zi për punë dhe se nuk kishte lidhje me ngjarjen në fjalë.



