Policia e Durrësit ka arrestuar dy persona, nën akuzën se organizuan grumbullimin dhe manifestimin e paligjshëm. Sipas policisë, dy të tjerë që ishin pjesëmarrës në protest janë proceduar penalisht.
Të arrestuarit janë 24-vjeçari Sh. M., dhe 30-vjeçari A. B. Kurse, penalisht u proceduan A. V., 20 vjeç dhe F. D., 23 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Po ashtu, policia në Durrës ka arrestuar një 17-vjeçar me inicialet A. H. Ky i fundit ishte i shpallur në kërkim pasi, në periudha të ndryshme kohore ka kanosur 14-vjeçarin I. M., duke përfituar herë pas here shuma të ndryshme parash prej tij.



