Dy anglezë janë arrestuar nga policia e Vlorës të akuzuar se shpërndanin lëndë narkotike.
Të dyshuarve iu gjetën 103 doza MDMA dhe Ketaminë, si dhe 120 kokrra ekstazi, të përgatitura gati për shitje, të cilat dyshohet se i shisnin në ambientet e argëtimit përgjatë vijës bregdetare, të frekuentuara nga pushues dhe turistë të huaj.
Gjatë operacionit antidrogë të koduar “Cocktail”, u arrestuan në flagrancë shtetasit e huaj, lindur dhe banues në Londër, J. B., 34 vjeç, dhe J. C., 33 vjeç, të cilët qëndronin të akomoduar në fshatin Dhërmi.
Gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën e tyre dhe në automjetin tip “Mitsubishi”, në përdorim të tyre, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 52 doza me lëndë narkotike të llojit MDMA, 51 doza me lëndë narkotike të llojit ketaminë, 120 kokrra ekstazi, një shumë prej 6 185 eurosh dhe 720 paundësh si dhe 4 aparate celularë.



