
Policia e Dibrës ka arrestuar ditën e sotme dy persona, pasi gjatë kontrollit të një automjeti u gjetën pajisje të ndryshme që shërbejnë për kompletimin e pajisjeve të lojërave të fatit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Dibër në bashkëpunim me shërbimet e Degës Doganore Bllatë, në hyrje të R.SH.-së, në Pikën e Kalimit kufitar Bllatë, kanë ushtruar kontroll në automjetin tip “Seat”, me drejtues shtetasin A.D., 40 vjeç, banues në Shkodër, dhe pasagjer shtetasin A.H., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën pajisje të ndryshme (kasa metalike, qarqe elektrike, çelësa, butona), të cilat shërbejnë për kompletimin e pajisjeve të lojërave të fatit, pa u shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetasve të lartpërmendur, A.D. dhe A.H., për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.



