
Vetëm dy ditë më parë, Avokati i Popullit ngriti një alarm të fortë lidhur me kushtet skandaloze dhe sigurinë në burgjet shqiptare, duke sugjeruar mbylljen e menjëhershme të pesë prej tyre.
Gazetari Besmir Pula, i ftuar në “MCN Informacion”, deklaroi se problematikat në këto burgje janë evidentuar prej shumë vitesh.
Avokati i Popullit ka kërkuar mbylljen e menjëhershme të pesë institucioneve penitenciare-burgje dhe qendra paraburgimiqë, sipas raportit, cenojnë dinjitetin njerëzor dhe afrohen me standardet e trajtimit degradues.
Institucionet që kërkohet të mbyllen janë:
Burgu i Burrelit, IEVP Kosovë-Lushnjë, IEVP Kukës, Burgu “Mine Peza” (302), Burgu “Jordan Misja” (313).
Raporti evidenton gjithashtu mbipopullim të lartë në IEVP Lezhë, ku rezultojnë 181 të burgosur mbi kapacitetin e parashikuar, ose rreth 65% mbipopullim. Po ashtu, në këtë institucion mungon mjeku me kohë të plotë.
Pas inspektimeve të kryera në 18 IEVP gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit konstatoi mungesë të kujdesit shëndetësor, ambiente të amortizuara dhe kushte që shkelin të drejtat themelore të personave të privuar nga liria.
Nga ana tjetër, avokati Edi Qehaja u shpreh se nuk duhet të flitet për mbyllje totale të burgjeve, por për rikonstruksion të tyre.
Mendoj se referenca e bërë nga Avokati i Popullit nuk ka të bëjë me mbylljen fizike të këtyre burgjeve, por me nevojën për rikonstruksionin e tyre.
Nëse do të mbylleshin, do të duheshin kapacitete të reja për transferimin e të burgosurve.
Sistemi penitenciar shqiptar është i mbipopulluar dhe aktualisht nuk ka ambiente të lira për të sistemuar të burgosurit e transferuar.
Para se të mbyllen burgjet ekzistuese, duhet të ndërtohen institucione të reja. Përndryshe, zgjidhja më e mundshme mbetet rikonstruksioni i tyre.



