
Gjykata e Posaçme ka liruar nga qelia avokatin e Korçës, Arben Lena, i cili u arrestua për korrupsion. Mësohet se ai do të qëndrojë në masën e ‘arrestit shtëpiak’, deri në përfundim të hetimeve.
Lena u arrestua në janar të këtij viti me dyshimin se do të ndikonte në Gjykatën e Apelit të Korçës.
Ish-kreu i dhomës së Avokatisë në Korçë, akuzohet se ka marrë ryshfet 5000 euro për të ndikuar tek gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Korçës me qëllim lehtësimin e pozitës së të pandehurit Blerand Kozici.
Ky i fundit po hetohej nën masën ‘arrest në burg’ nga Prokuroria e Pogradecit, pasi kishte ndihmuar emigrantë të vendeve të treta të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.
Nga ky hetim, më parë në pranga me urdhër të SPAK, janë arrestuar 4 persona dhe janë vendosur nën masën “detyrim për t’u paraqitur” dy të tjerë.



