Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare në Vlorë kanë njoftuar monitorimin e hapësirës detare me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së pushuesve në plazhet e vendit.
Brenda 24 orëve në Palasë dhe Zvërnec bllokohen dy mjete lundruese që shkelën perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Si rezultat i monitorimeve, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare bllokuan një tjetër mjet lundrues në plazhin e Zvërnecit, që shkeli perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre.
Shërbimet e Policisë Kufitare ndëshkuan pronarin e mjetit lundrues, shtetasin B. F., me masën administrative 100,000 lekë të rinj, si dhe bllokuan mjetin lundrues gomone në SPK Triport.
Më herët, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, ndërhynë menjëherë në plazhin e Palasës, duke bllokuar një mjet lundrues gomone që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë të rinj drejtuesin e mjetit lundrues.
Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe patrullat tokësore, vijon monitorimin dhe kontrollin e të gjitha zonave bregdetare dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe profesional.



