
Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e ndodhur mesditën e sotme në fshatin Luzni të Dibrës. Sipas informacioneve nga uniformat blu, mësohet se viktima Xhetan Konesha dhe dy vëllezërit Muhamet Mera dhe Altin Mera kanë patur një konflikt të vjetër për një tub uji. Gjithashtu, mësohet se viktima ishte dhëndërr në fisin Mara.
Dy vëllezërit dhe viktima u përfshinë në një konflikt të çastit mesditën e sotme dhe situata agravoi, duke bërë që ata të qëllonin me automatik 50-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Sipas banorëve të zones, konflikti është i vjetër dhe e ka zanafillën për një tubë uji. Policia arriti të arrestonte Muhamet Merën, ndërsa vëllai i tij, Altin Mera u arratis, duke u larguar në pyll.
Policia po vijon me krehjen e zonës, për kapjen e autorit tjetër të dyshuar, ndërsa u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se dy vëllezërit vranë 50-vjeçarin.



