
Një 54-vjeçar është arrestuar nga Policia e Krujës, pasi është kapur me një armë zjarri tip automatik në banesë, shtatë krehra dhe municion luftarak.
Sipas informacioneve të policisë, arrestimi i shtetasit me inicialet S. Sh., banues në fshatin Zezë në Krujë, u krye në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që posedojnë armë zjarri, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit S. Sh., kanë gjetur 1 armë zjarri automatik, 7 krehra dhe 173 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.



