
Një operacion antidrogë i koduar “Melgusha” është finalizuar këtë të premte nga Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me komisariatin e Policisë Vau i Dejës. Sipas informacioneve zyrtare, është zbuluar një serrë, në të cilën ishin kultivuar 2600 fidanë, të dyshuar kanabis. Në pranga janë vënë babë e birë, pronarët e ambientit në lagjen “Shegaj” të fshatit Melgushë, të Vaut të Dejës.
“Si rezultat i kontrollit u gjetën dhe u asgjesuan 2600 fidanë, të dyshuar kanabis, që ishin kultivuar në serrë. Në vijim të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve L.Sh., 51 vjeç dhe E.Sh., 26 vjeç, (babë e bir), banues në Melgushë, Vau i Dejës”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.



